“Më kalo një milion lekë në llogarinë time, ndryshe prindërit e tu do e marrin vesh lidhjen , por edhe për videon që unë kam në celular”.
Ky ka qenë një ndër mesazhet kërcënuese që Denis Dunisha, 20 vjeçari nga Tirana, ka dërguar vazhdimisht në telefon dhe në Facebook, të dashurës së tij me inicial E.F.
Të dy të dashurit janë studentë në fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ndërsa Dunisha, përveçse student i Frëngjishtes, është me profesion model.
Studentja, e cila ka bërë denoncimin, ka shpjeguar se prej disa muajsh ka një lidhje dashurie me Denisin. Ajo ka treguar se ata janë njohur në Facebook dhe pas shkëmbimit të numrave të telefonit ata kanë filluar të dalin së bashku.
Siç raportohet nga “Panorama”, studentja ka pranuar faktin se Dunisha disponon një video imtime, për të cilën para disa javësh i kishte thënë se e kishte fshirë.
Por, gjatë fundit të muajit gusht, kur lidhja e tyre ka filluar të zbehet, Dunisha i ka ndenjur si “çekan” të dashurës me kërcënime, duke i kujtuar vazhdimisht se ai dispononte videon intime.
Në katër mesazhet e para i ka kërkuar 200 mijë lekë, më pas shumë është shumëfishuar në një milion lekë të vjetër. Ai i ka dhënë numrin e llogarisë së tij duke e shantazhuar se nëse nuk i dërgonte lekët deri në fundin e kësaj jave, prindërit e saj do të merrnin vesh lidhjen e tyre.
Pas kallëzimit të studentes, i cili i kaloi Seksionit të Krimeve të Rënda, meqë vepra penale e të riut kishte elemente të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, Dunisha është vendosur nën prangat e policisë./tema/